Shqip / English

Drag Race, “çmenduria” e kësaj vere 1- 2 Gusht 2015

 

 

 

Pas shtatë garave të mbajtura deri më tani (katër malore dhe tri rrethore) radha është për “çmendurinë“ e automobilizmit të Kosovës.

 

Më 1 e 2 Gusht, në Sllatinë do të mbahet gara “Drag Race”, për të cilën qysh tash shihet se interesimi është i jashtëzakonshëm.

 

Federata e Auto Sportit e Kosovës është në vlugun e përgatitjeve për këtë ngjarje, e cila pa dyshim është “qershia mbi tortë“ në këto ditë vere. Një vit më parë, saktësisht me 3 gusht, “Drag Race” ishte një festë e vërtetë automobilistike, por sivjet gara do të jetë shumëfish më masive dhe më interesante.

Në vitin e kaluar dashamirët e shpejtësisë patën rastin të shohin vetura nga më të ndryshmet, si: Audi RS6, Porsche 911, Ferrari F12, Chevrolette Corvette, Nissan GTR, Mercedes C63 AMG, BMW M6, Mercedes CLK 320, Audi S4, Audi A8 4.2, Opel Corsa RS, Porsche Panamera etj.

Edhe sivjet do të ketë vetura të jashtëzakonshme, nga ato më sportive, e deri tek më luksozet. Prandaj, është më se e sigurt që shtegu pranë aeroportit në Sllatinë do të jetë në qendër të vëmendjes në fundjavën e 1 e 2 Gushtit.

Garuesit do të jenë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Kroacia dhe nga Evropa Perëndimore (kryesisht nga diaspora jonë). Për dy ditë me radhë, garimi, rivaliteti, muzika, argëtimi dhe adrenalina do të jenë në nivelin më të lartë.

Duke marrë parasysh interesimin dhe faktin që qysh tash janë paraqitur mbi 50 pjesëmarrës, është e sigurt se sivjet në garë do të jenë mbi 100 automobilistë. Për këtë arsye, me synimin që gjithçka të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme, FASK-ja është mobilizuar maksimalisht dhe së bashku edhe me institucionet tjera relevante po punon me shumë përkushtim. Në mënyrë që e gjithë kjo ngjarje të kalojë siç është më së miri, FASK-ja ka ftuar edhe një grup ekspertësh nga Kroacia, anëtarët e të cilit së bashku me zyrtarët tanë do ta menaxhojnë garën, e cila do të zhvillohet sipas standardeve të FIA CEZ-së. 

Template Design Ext-joom.com