Në Kampionatin e Kosovës në automobilizëm, në vitin 2022, AK Ferizaj ishte shembull i organizimit, por edhe i sukseseve. Plot 29 garues ishin pjesë e këtij klubi, duke marrë pjesë në shtatë gara malore e në 11 auto sllallom, prej tyre tetë femra e tre fëmijë në karting.
AK Ferizaj, në auto sllallom, e përfundoi kampionatin si kampion në konkurrencën e femrave, ndërsa i treti në konkurrencën e meshkujve.
Ndërsa, në disiplinën malore përfundoi si nënkampion me 114 pikë (kampioni i ka 115).
Në garat malore klubi u paraqit me tre garues: Arjeta Rysha në Klasën 3 pati kampionat të shkëlqyeshëm duke dalë kampione, ndërsa ishte e vetmja femër që shpallet kampione.
Kampion është dhe Hysen Iseni në Klasën 2, madje për herë të tretë radhazi dhe sivjet e merr “Helmetën e Artë”. Po ashtu kampion është edhe Burim Asllani në PF Grupi 5.
Ferizaj shkëlqeu edhe në auto sllallom, kur Arjeta Rysha është kampione në Klasën 4, Ermira Topalli është kampione në Klasën 3, për të tretin vit radhazi dhe sivjet e merr “Helmetën e Artë”, Kadishe Shabani kampione në Klasën 1 dhe kampione në Klasën 2, ndërsa Arbër Rexhepi, kampion në Klasën 2.
Përveç kësaj, garueset e AK Ferizajt ishin aktive edhe në arenën ndërkombëtare, pasi Arjeta Rysha mori pjesë në garën shumë prestigjioze malore në Sternberk të Çekisë, ndërsa Ermira Topalli, në auto sllallom, në Marsejë të Francës.
AK me sukses i organizoi edhe dy gara, një auto sllallom e një malore, duke dëshmuar se mund të jetë organizator i mirë edhe nëpër mot me shi.
Synimi i AK Ferizajt për vitin 2023 është që përveç sukseseve me garues, të organizojë në Brezovicë garën Hill Climb në kuadër të FIA CEZ.