Baran Karabeg synon podiumin

Baran Karabeg është optimist për rezultate të mira edhe në arenën ndërkombëtare. Pas sukseseve në kampionatin vendor, Barani shpreson që paraqitje të mirë do të ketë edhe në Marsejë të Francës, atje ku prej 26-30 korrik mbahen garat në FIA Motor Sport Games, ndërsa Karabeg e përfaqëson Kosovën në disiplinën karting sllallom.

“Gara në Marsejë do të jetë sfidë e vështirë, por sigurisht edhe privilegj për ta përfaqësuar Kosovën. Besoj që për çdo sportist është ëndërr të përfaqësojë vendin e tij në gara të tilla prestigjioze”, ka thënë Karabeg për faqen zyrtare të FASK-ut.

Megjithëse hera e parë që do të marrë pjesë në një garë të tillë, ai shprehet shumë optimist.

“Sigurisht që pjesëmarrja është e rëndësishme, por unë synoj diçka më shumë. E di që do të jetë shumë vështirë, por synimi im të jem në podiumin e fituesve”, ka shtuar Baran Karabeg.

Në konkurrencën e femrave, në karting sllallom, Kosovën do ta përfaqësojë Rea Gashi, ndërsa në Marsejë do të jenë edhe Visar Gjikolli në Esports dhe Ermira Topalli e Valom Jaha në auto sllallom.