Blerta Bytyqi: I ftoj femrat të kyçen në auto sport

Blerta Bytyqi është ndër garueset më të mira në disiplinën e auto sllallomit, në konkurrencën e femrave.

Anëtarja e AMTKK do të marrë pjesë edhe në garën e kësaj fundjave, të dielën në Drenas. “Po, do të marrë pjesë në garën në Drenas, madje në dy klasa”, ka thënë Bytyqi për faqen zyrtare të FASK-ut. Ajo në klasën e parë do të paraqitet me Renault Twingo, ndërsa në klasën e dytë me Audi A3.

Blerta shpreson që të dielën gara të jetë e fortë, interesante dhe me pjesëmarrje të kënaqshme. “Shpresoj që moti të jetë i mirë, numri i garueseve sa më i madh dhe gara të bëhet më interesante”, është shprehur Blerta Bytyqi.

Në fund, ajo ka edhe një ftesë për femrat që e duan automobilizmin. “I ftoj të gjitha femrat që e duan automobilizmin të aplikojnë për pjesëmarrje, jo vetëm në këtë garë, por në vazhdimësi dhe të dëshmojmë që edhe ne mund të arrijmë suksese, sepse sporti nuk ka gjini”.