Brunilda Gjura është një nga garueset që, thuajse nuk ka munguar në asnjë garë në disiplinën auto sllallom që nga viti 2019.
Që atëherë rezultatet e anëtares së Prishtina Racing Team kanë qenë jashtëzakonisht të mira.
Për tri sezone radhazi, 2019, 2020, 2021, kampione në kategori, duke e bërë femrën e parë në auto sport në Kosovë meritore të çmimit “Helmeta e Artë”.
Fillimet e saj në auto sport i pati me BMW E92, por që gjatë rrugëtimit ka garuar edhe me vetura të tjera.
Falë sponsorëve, Brunilda e sheh sezonin e ri shumë premtues dhe do të vazhdojë të jetë konkurrente e denjë për të kryesuar plasmanin gjeneral.
“Asgjë nuk është e pamundur! Kam besim te aftësitë e mia pavarësisht çfarë makine vozis. Unë do vazhdoj të jap maksimumin tim, në çdo rrethanë, pastaj suksesi vjen nga Zoti”, është shprehur Brunilda për faqen zyrtare të FASK-ut.
Vlen të ceket se gjatë garave, Brunilda, është bërë pjesë e fushatave të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, mbështetjes së të mbijetuarave të dhunës e torturës etj.