Demolli i kënaqur me kohën, fitoren dhe shtegun e ri

Gazmend Demolli është fitues i garës “Molika 2022”, garë e cila u mbajt për herë të parë në shtegun në afërsi të qendrës së skijimit në Brezovicë. Demolli me Radicall SR8 LM shtegun me gjatësi prej 3.9 kilometrave e kaloi për kohën 01:49.428 minuta.

Pas garës, anëtari i Prishtina Racing Team është shprehur i kënaqur me fitoren dhe rezultatin. “Jam i kënaqur me kohën dhe fitoren. Ishte hera e parë që garuam në këtë shteg, prandaj duhej të kishim shumë kujdes, por për fat të mirë nuk patëm probleme serioze”, ka thënë Demolli për faqen zyrtare të FASK-ut.

Ai e ka vlerësuar mjaft mirë edhe shtegun në të cilin u mbajt gara e fundjavës që shkoi. “Shtegu ishte i mirë, i përshtatshëm dhe atraktiv. Normalisht që duke marrë parasysh se nuk e njihnim mirë ishim paksa të rezervuar, por besoj që në të ardhmen të arrijmë rezultate edhe më të mira”, është shprehur optimist fituesi i garës së parë në këtë shteg.