Gazmend Demolli është optimist se do të vendosë rekord të ri në shtegun e Kullës, në garën që mbahet në këtë fundjavë.
Aktualisht rekordin e mban hungarezi Laszlo Szasz me kohën 03:11.287 minuta, por Demolli beson se do të jetë edhe më i shpejtë.
“Laszlo e ka një makinë shumë të shpejtë, ka përvojë të gjatë dhe nuk ka dyshim se është konkurrent shumë i fortë, por unë besoj se kësaj radhe mund të jem më i shpejtë se ai, madje edhe të vendos rekord në shtegun e Kullës”, ka thënë Demolli për faqen zyrtare të FASK-ut, duke shtuar: “Po të mos e kisha një defekt në makinë, në garën e Krujës mund të isha edhe më i shpejtë. Megjithatë, unë jam i kënaqur që, edhe përkundër atij problemi e përfundova garën dhe atë me rezultat shumë të mirë”.
Gazi ka shtuar se është duke bërë përpjekje për një intervenim në makinë në mënyrë që në garë të hyjë maksimalisht i përgatitur.
“Jemi në pritje të një pjese në ndërruesin e shpejtësive, për të cilën besoj se do të kryhet deri të premten në mbrëmje në mënyrë që gjithçka të jetë gati për të shtunën”, është shprehur Demolli.
23.06.2022
