Baran Karabeg ishte më optimisti para nisjes së ekipit kosovar për të Marsejë të Francës, ku ishte pjesëmarrës në FIA Motorsport Games.
Së bashku me Rea Gashin, ai e përfaqësoi Kosovën në disiplinën karting – sllallom, ndërsa ekipi ynë u rendit në pozitën e dhjetë, që duke marrë parasysh konkurrencën, është rezultat mjaft i mirë.
“Fillimisht dua të them se ishte emocion i veçantë të përfaqësosh vendin tënd në një garë kaq prestigjioze. Pastaj, interesant ishte edhe fakti që për të parë që garoja me karting ‘full electric’, që është kartingu më stabil që kam vozitur ndonjëherë dhe më jepte një ndjenjë krejt ndryshe”, ka thënë Barani për faqen zyrtare të FASK-ut në Facebook.
Megjithëse në dukje është mjaft i qetë, Baran njihet për shpirtin luftarak në aspektin sportiv, prandaj nuk është i kënaqur me rezultatin në Marsejë. “Nuk them se nuk jemi paraqitur mirë, por unë kam pritur më shumë dhe realisht është dashur të kemi rezultat më të mirë. Gjithsesi ishte një përvojë shumë e rëndësishme dhe besoj që i gjithë ekipi e ka dhënë më të mirën, në mënyrë që Kosova të përfaqësohet denjësisht”, ka shtuar Karabeg, i cili synon që në të ardhmen të jetë pjesë e garave karting sprint senior.
Barani gjatë qëndrimit në Francë e pati edhe një emocion tjetër të veçantë, pasi e takoi ish-garuesin në Formula 1, brazilianin Felipe Massa.