Në fundjavën që shkoi u mbajt gara e disiplinës malore “Molika 2022”, në afërsi të qendrës së skijimit në Brezovicë.
Drejtor i garës ishte Agron Dida, njëherësh nënkryetar i Federatës së Auto Sportit të Kosovës.
Ai e ka elaboruar në hollësi organizimin dhe rrjedhën e tërë asaj që ndodhi gjatë dy ditëve.
“Shtegu ‘Brezovica-Molika’ është licencuar nga FASK për shkak të mos mbajtjes së garës malore në ‘Godeni 2022’ në Gjakovë për shkaqe teknike dhe organizative”, ka thënë fillimisht Dida, i cili më pas ka zbuluar një fakt interesant.
“Para se të elaboroj mbarëvajtjen e garës në fjalë po e tregoj një histori të shkurtër për këtë shteg. Gara e parë në këtë shteg është mbajtur vetëm njëherë dhe atë nëse nuk gaboj para 43 vjetësh dhe për mua personalisht ka pasur vlerë nostalgjike”.
Më pas ai ka folur për garën e fundjavës.
“Në garë janë paraqitur 24 garues, në mesin tyre ka pasur edhe garues nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Çdo organizim i garave të disiplinës malore kërkon të përmbushen disa standarde të sigurisë së shtegut për mbarëvajtje të garës dhe kështu ishte edhe kësaj radhe. Ekipi i zyrtarëve të FASK-ut, veçanërisht me ndihmën teknike të zyrtarit të sigurisë së shtegut dhe me staf të afruar nga kompania ‘Eurogoma’ kemi arritur që shtegu në kohën e paraparë të shënjohet, të përcaktohet pika e startit, pika e cakut, vendet e mareshalëve dhe matësve të kohës, të vendosen pajisjet përcjellëse, të grilave dhe shiritave të sigurisë”.
“Pas përgatitjes së shtegu, për shkak se parashihej të binte shi, jemi munduar që sa ma shpejt të fillojmë garën për ditën e shtunë, por edhe për ditën e diel. Fatmirësisht të tri vozitjet në stërvitjet zyrtare përfunduan në shtegun pa të reshura atmosferike dhe pa probleme serioze, me disa ndërprerje të shkurta për shkak të defekteve të automjeteve garuese. Të dielën gara zyrtare filloi me kohë të paraparë me rregullore dhe u zhvillua në një shteg të terur dhe të përshtatshëm për garë deri para përfundimit të garës, ku dy garues të kategorisë ‘promo-mysafir’ kanë vozitur përmbi gjysmën e shtegut relativisht të lagësht. Gara përfundoi me sukses dhe pa probleme. U vendos edhe rekordi i shtegut nga ana garuesit Gazmend Demolli me kohën 01:49:428 minuta”, ka sqaruar Dida.
Në vazhdim ai ka treguar edhe një të dhënë interesante për shtegun.
“Duke marrë parasysh se në këtë shteg është vozitur për herë të parë në Kampionatin e Automobilizmit të Republikës së Kosovës dhe nga aspekti teknik, në bazë të rezultateve është shtegu më i shpejtë i licencuar në Kosovë me shpejtësi mesatare prej 128 kilometra në orë”.
Në fund nënkryetari i FASK-ut është shprehur i kënaqur me garën e njëkohësisht i ka falënderuar të gjithë ata që kontribuan.
“Ja tepër i kënaqur që një shteg të ri arritëm të organizojmë dhe të përfundojmë garën me sukses. I falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës, gjithë ekipit të zyrtarëve të FASK-ut, Policisë së Kosovës, KK Shtërpcë, ekipit të Ndihmës së Shpejtë, Brigadës së Zjarrfikësve, hotelit “Rock”, shikuesve si dhe të gjithë përkrahësve të auto sportit që kanë qenë prezent këto dy ditë në garën ‘Brezovica – Molika’ dhe na mundësuan të kemi edhe një garë të suksesshme të vlefshme për Kampionatin Kosovës.