Drejtori i garës, Gazmend Jonuzi, me vlerësim maksimal

Në fundjavë u mbajt gara e fundit e disiplinës malore për Kampionatin e sivjetmë të Kosovës në automobilizëm. Drejtor i garës ishte Gazmend Jonuzi, i cili vlerëson se gjithçka shkoi shumë mirë.

“Në garën e fundit të disiplinës malore, nga FASK-u kam qenë i emëruar si drejtor i garës ‘Zymi 2022’. Bashkë me të gjithë zyrtarët e garës jemi angazhuar që siguria në shteg të jetë prioritare. Të premten kemi punuar në pastrimin e shtegut në mënyrë që ai të jetë i pastër dhe i sigurt për garuesit dhe publikun, pasi dihet që në Zym gjithmonë ka pasur shumë shikues. Nga ana teknike, të gjitha kanë qenë në nivel, kemi pasur parkferme të mjaftueshëm për veturat garuese dhe vend të posaçëm për rimorkiot e tyre. Me një fjalë, nuk e kemi bllokuar rrugën për makinat civile, të cilat janë të shumta, pasi aty ndodhet udhëkryqi, i cili i lidh shumë fshatra të Hasit”, është shprehur Jonuzi për faqen zyrtare të FASK-ut.

“Të shtunën, treningu zyrtar ka filluar në orën 12:10 dhe kjo për faktin se ishin kryer të gjitha përgatitjet, prandaj e pamë të arsyeshme të fillojmë 50 minuta më herët. Nuk ka pasur asnjë problem dhe të dyja vozitjet janë kryer për një kohë mjaft të shkurtë”, ka thënë më tej drejtori i garës.

Ai është shprehur shumë i kënaqur edhe me rrjedhën që gara e pati të dielën.

“Dita zyrtare e garës, të dielën ka qenë shumë e veçantë për mua. Kaluam shumë mirë, pa asnjë problem. E filluam me rregulloren e veçantë të garës, vetura e parë ka startuar fiks në orën 12:00 dhe gara ka rrjedhur shumë mirë deri te vetura e 27-të. Pa asnjë problem ka përfunduar edhe gjiroja e dytë. Unë dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar dhe që më kanë ndihmuar edhe mua, pasi këtë herë i kam pasur disa obligime më shumë”, ka theksuar Jonuzi në fund.