Kampionati i Kosovës në automobilizëm vazhdon në këtë fundjavë, konkretisht të dielën, me garën në disiplinën e auto sllallomit, e cila do të mbahet në Drenas.
Auto Klubi Drenica në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK) është në përgatitje e sipër, për një garë sa më cilësore, ndërsa duke marrë parasysh se auto sllallomi po bëhet disiplinë gjithnjë e më atraktive për dashamirët e auto sportit në Kosovë, pritet që numri i pjesëmarrësve, por edhe i shikuesve të jetë i madh.
Për fat të mirë, në këtë disiplinë interesim po ka edhe tek femrat. Njëra nga garueset më të mira, kampionia e vitit të kaluar, Ermira Topalli, beson që interesimi do të jetë i madh, ndërkohë që i fton femrat tjera të marrin pjesë në këtë garë dhe të shijojnë adrenalinën që jep automobilizmi.
“Unë do të marr pjesë në garën në Drenas, por, njëkohësisht i ftoj edhe femrat tjera që në numër sa më të madh të jenë pjesë e garës dhe të shijojnë kënaqësinë që jep gara”, ka thënë Topalli për faqen zyrtare të FASK-ut.
Gara në Drenas mund të jetë përcaktuese sa i përket renditjet përfundimtare në disa klasa.
