Njëri nga garuesit më atraktiv, kampioni i pesëfishtë në automobilizmin e Kosovës, konkretisht në disiplinën malore, Blerand Hasanaj, u ka munguar shtigjeve të garave pothuaj tash e tri vjet. Kjo ka ndodhur, jo me dëshirën e tij, por vetëm për shkaqe ekonomike.
Megjithatë, Blerandi nuk po mund të pajtohet me këtë fakt dhe kjo dëshmohet me paraqitjen e tij për pjesëmarrje në garën e kësaj fundjave, “Molika 2022”, e cila mbahet në afërsi të qendrës së skijimit në Brezovicë.
“Dëshira për të marrë pjesë në gara nuk më është shuar asnjëherë, por diçka të tillë nuk kanë lejuar kushtet. Sidoqoftë, me ndihmën e sponsorëve dhe shokëve, të cilët i falënderoj shumë, unë do të marrë pjesë në garën e kësaj fundjave, vlefshme për Kampionatin e Kosovës”, ka thënë Hasanaj për faqen zyrtare të FASK-ut.
Blerandi do të paraqitet me veturën e tij Opel Astra F Turbo FWD.