Ermira Topalli e Valon Jaha kanë dominuar në disiplinën e auto sllallomit në konkurrencat përkatëse. Ermira është kampione për tri vjet rresht, ndërsa sivjet do të marrë pjesë edhe në një garë prestigjioze ndërkombëtare, e cila në fund të tetorit mbahet në Marsejë të Francës.
“Sa i përket kampionatit të sivjetmë, mendoj se ka qenë mjaft i mirë si në aspektin e organizimit, ashtu edhe në rivalitet. Kemi pasur gara cilësore dhe shpresoj që në të ardhmen do të ketë edhe më shumë femra në auto sport”, ka thënë Ermira për faqen zyrtare të FASK-ut.
Ajo beson se edhe në Francë do të ketë rezultat të mirë. “Është hera e parë që do të marr pjesë në një garë të tillë. Jam e vetëdijshme që konkurrenca atje do të jetë shumë e fortë, por gjithsesi unë do ta jap maksimumin dhe jam optimiste se Kosovën do ta përfaqësoj denjësisht”, ka shtuar anëtarja e AK Ferizajt.
Në konkurrencën e meshkujve më i miri ishte Valon Jaha, i cili po ashtu do të jetë në Marsejë.
“Kampionati i Kosovës pati rrjedhë dhe përfundim shumë të mirë, për çka duhet falënderuar të gjithë ata që kontribuan gjatë gjithë kohës. Auto sllallomi është disiplinë mjaft atraktive dhe më vjen mirë që jam kampion, por gjithsesi, ne kemi edhe shumë garues tjerë të shkëlqyeshëm në këtë disiplinë”, ka thënë Valoni.
“Sa i përket Francës, e dimë se do të jetë garë shumë e fortë me garues nga mbarë Evropa, por ne shkojmë me synimin për paraqitje sa më të mirë dhe besoj se nuk do të zhgënjehemi”, ka shtuar Valon Jaha, anëtar i Prishtina RT.
Bashkë e Ermirën e Valonin, Kosovën në Marsejë do ta përfaqësojnë edhe Rea Gashi, Baran Karabeg e Visar Gjikolli.