Ermira Topalli e përfaqësoi Kosovën në disiplinën e auto sllallomit në FIA Motorsport Games, të cilat në javën e kaluar u mbajtën në Marsejë të Francës.
Ermira e ka përshkruar me shumë emocion këtë garë, ndërsa, pavarësisht paraqitjes shumë të mirë, beson që në të ardhmen rezultatet të jenë edhe më të mira.
“Ka qenë një përvojë shumë e veçantë. Për mua ishte hera e parë që marr pjesë në një garë jashtë vendit, ishte hera e parë që garoj me veturë sportive, e dedikuar për gara dhe ‘full electric’. Megjithatë, duke marrë parasysh konkurrencën që ishte shumë e fortë, mendoj se kemi pasur paraqitje të mirë”, ka thënë Ermira për faqen zyrtare të FASK-ut në Facebook.
Ajo është shprehur e fascinuar me organizimin e këtij eventi. “Gjithçka ka qenë shumë mirë. Ka pasur pjesëmarrës nga e mbarë bota, ndërsa organizimi ishte i shkëlqyeshëm. Thjesht, ishte një përvojë që nuk harrohet, ndërsa neve na mbetet të punojmë edhe më tepër, në mënyrë që në garat e ardhshme të arrijmë rezultate edhe më të mira”, ka shtuar Ermira Topalli.
Së bashku me të, në disiplinën e auto sllallomit, ishte edhe Valon Jaha, ndërsa Kosova u rendit në pozitën e 10-të, që gjithsesi është rezultat i mirë.