Ermira Topalli në vitin e kaluar ishte kampione në disiplinën e auto sllallomit në konkurrencën e femrave. Anëtarja e AK Ferizajt këtë sukses e ka përsëritur edhe në kampionatin e sivjetmë. Me fitoren që e arriti të dielën në Drenas, Ermira tashmë e ka siguruar titullin e kampiones.
“Secila fitore është e rëndësishme dhe jep ndjenjë të mirë. Sigurisht që fitorja në Drenas është e veçantë edhe për faktin se me këto pikë e sigurova titullin e kampionit për sivjet”, ka thënë ajo për faqe zyrtare të FASK-ut.
Ermira ka dominuar në këtë disiplinë, por ajo dëshiron që konkurrenca të jetë më e fortë dhe numri i pjesëmarrëseve më i madh.
“Gjithsesi ishte garë e mirë, ndërsa unë i inkurajoj femrat që në kampionatin e ardhshëm të marrin pjesë në numër edhe më të madh, sepse automobilizmi është sport atraktiv, ofron emocione, ndërsa ne dëshmojmë se edhe femrat mund të arrijnë rezultate të mira në këtë sport”, është shprehur Topalli.
Deri në fund të kampionatit në disiplinën e auto sllallomit ka mbetur edhe një garë, e cila do të mbahet në Prishtinë.