Drejtori i garës “Grashtica 2022”, Gazmend Gashi, është shprehur i kënaqur me organizimin, rrjedhën dhe përfundimin e kësaj gare.
“Jam i kënaqur me mbarëvajtjen e garës. Nuk ka pasur telashe dhe asnjë aksident. Çdo gjë ka shkuar sipas orarit dhe gara me dy vozitje është kryer në kohë rekord”, ka thënë Gashi për faqen zyrtare të FASK-ut.
Ai e ka vlerësuar lart angazhimin e të gjithë zyrtarëve të garës.
“Skuadra e organizimit, të cilën e autorizon FASK ka funksionuar në mënyrë perfekte, secili e ka kryer punën me përkushtimin maksimal. Po ashtu i falënderoj edhe anëtarët e klubit Prishtina RT, të cilët u angazhuan para, gjatë dhe pas garës në mënyrë që gjithçka të jetë në rregull. Besoj se edhe të tjerët janë ndarë të kënaqur me organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme për auto sportin e Kosovës”, është shprehur Gashi.
