Viti 2022 ishte shumë i mirë për anëtarin e AK Ferizaj, Hysen Hyseni. Ai, për herë të tretë me radhë doli kampion në Klasën 2, në disiplinën malore dhe në këtë mënyrë është fitues i “Helmetës së Artë”.
Sigurisht që për të arritur deri këtu nuk ishte aspak e lehtë, duke marrë parasysh edhe konkurrencën që ishte në këtë klasë.
“Unë kam garuar në Klasën 2 me Peugeot 106 Rely. Konkurrenca në këtë klasë ishte mjaft e fortë, por me punë, përkushtim e sakrificë ia dola që për herë të tretë radhazi të jem kampion në këtë klasë”, ka thënë Hyseni për faqen zyrtare të FASK-ut në Facebook.
Ai u është mirënjohës të gjithë atyre që e kanë përkrahur në këtë rrugëtim.
“Auto Sporti kërkon kohë, shpenzime e përkushtim, prandaj unë i përshëndes anëtarët e AK Ferizajt dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur për të arritur deri këtu, sepse të fitosh ‘Helmetën e Artë’ është diçka e veçantë”, është shprehur Hyseni.
Bazuar në entuziazmin që e ka, duket se synimet e tij janë edhe më serioze.
“Besoj se në kampionatin e ri do të arrij rezultate edhe më të mira dhe për këtë jam duke u përgatitur me seriozitetin më të madh. Përveç në kampionatin vendor, besoj që rezultate të mira do të kem edhe në garat ndërkombëtare”, ka thënë në fund fituesi i “Helmetës së Artë”.
Për rezultatet e arritura, ai me mirënjohje është nderuar edhe nga Komuna e Ferizajt.