Hyseni: Kulla është e veçantë, organizimi është sfidë serioze

Bujar Hyseni nga AK Visari-Peja beson se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për garën e fundjavës, Kulla 2022.

“Gara në Kullë gjithmonë është e veçantë dhe kërkon përkushtim të madh edhe në aspektin e organizimit. Ne, si klub, në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK), Komunën e Pejës, Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera, jemi munduar të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa sa ia kemi arritur qëllimit do ta shohim gjatë dy ditëve të garës”, është shprehur Hyseni.

Ai ka shtuar se interesimi është i madh, prandaj organizimi është sfidë serioze.

“Kemi mysafirë nga disa vende, të cilët duhet akomoduar, t’i presim sa më mirë, pastaj kemi punuar në përgatitjen e shtegut, sfidë do të jetë edhe siguria e garuesve dhe shikuesve, duke marrë parasysh interesimin e madh. Sidoqoftë, ne do ta japim maksimumin, me synimin që gjithçka të rrjedhë ashtu siç duhet”, ka theksuar Hyseni.

23.06.2022