Dy ditët e kësaj fundjave padyshim se do të kalojnë në shenjë të garës më të madhe në automobilizmin e Kosovës, Drag Race III.
Garues nga Kosova, shumë mërgimtarë tanë nga vende të ndryshme, pastaj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut e vendet e rajonit kanë aplikuar për pjesëmarrje, gjë që garanton spektakël të vërtetë.
Është evidente se me interesim të veçantë pritet paraqitja e Skender Poterës, i cili në çdo garë hyn jo vetëm për fitore, por edhe për të vendosur rekord të shtegut.
Diçka të tillë “Gogi” ka paralajmëruar edhe këtë herë. Ai e ka edhe rekordin aktual me kohë prej 08.022 sekonda, por beson që distancën prej 402 metrave mund ta kalojë për kohë edhe më të shkurtër. “Do të marrim pjesë në garën e kësaj fundjave, ashtu siç ishim edhe në garën paraprake. Të gjithë synojmë rezultate të mira, por gjithsesi që synimi ynë është që me Audi TT RS të arrijmë rekord të ri”, thanë nga ekipi i Gogit.
Sigurisht që rivalitet i madh pritet në të gjitha klasat, ndërsa nuk ka dyshim që edhe atmosfera do të jetë shumë e mirë.
