Ismail Smani, sivjet me veturë të re

Kampionati i sivjetmë i Kosovës në automobilizëm pritet të jetë me konkurrencë të fortë pothuaj në të gjitha klasat.

Disa garues do të paraqiten me vetura tjera nga ato që i patën në kampionatin e kaluar. Në mesin e tyre është edhe anëtari i Auto Klubit Prizreni D&G, Ismail Smani.

Sivjet ai do të garojë në Grupin E1, me veturën Yugo 1.3, të cilën e ka blerë në Mal të Zi.

“Sivjet do të garoj me Yugo 1.3 dhe shpresoj të kem rezultate të mira. Unë në çdo garë e jam maksimumin dhe kështu do të jetë edhe sivjet. Shpresoj të kem edhe fat në mënyrë që të marrë sa më shumë pikë dhe në fund të renditem sa më mirë si në plasmanin personal, ashtu edhe atë ekipor”, ka thënë Smani për faqen zyrtare të FASK-ut në Facebook, një ditë pasi vetura e tij ka arritur në Kosovë.