Kadishe Shabani është ndër garueset më të përkushtuara në garat e auto sportit në Kosovë. Falë përkushtimit dhe pasionit që e ka për këtë sport, ajo është e rregullt në garat e auto sllallomit, pavarësisht faktit se nuk ka pasur një veturë personale.
“Në vitin 2020 kam qenë kampione në Klasën 2, në vitin 2021 nuk kam garuar për shkak të obligimeve që kam pasur, ndërsa në vitin 2022 isha kampione e dyfishtë, në Klasat 1 dhe 2, ndërsa e treta në plasmanin e përgjithshëm”, ka thënë Kadishja për faqen zyrtare të FASK-ut.
Po ashtu, ajo në vitin 2020, në Drag Race II, në klasën e saj ishte e para, ndërsa e treta në plasmanin e përgjithshëm.
Rezultatet e saj janë më të veçanta për faktin se nuk ka garuar me veturë personale.
“Kam garuar me vetura të ndryshme, varësisht çfarë kam gjetur në auto sallone. Mirëpo, dashuria e madhe për këtë sport më ka shtyrë të garoj edhe në këto kushte dhe në fund kam pasur sukses. Sikur të kisha pasur një veturë dhe të modifikuar, sigurisht që rezultatet do të ishin shumë më të mira”, ka shtuar Kadishe Shabani.
Anëtarja e AK Ferizajt shpreson që viti 2023 të jetë edhe më i suksesshëm. “Ky sport më bën të ndihem ndryshe, me plot energji e adrenalinë. Duke marrë parasysh edhe përvojën e fituar, besoj se në këtë vit do të jem edhe më e suksesshme”, është shprehur optimiste Kadishja, e cila shpreson të ketë mundësi të sigurojë një veturë personale dhe të garojë edhe në disiplinat tjera.