Kalenderi i gatshëm për sukses edhe në Buzet

Pas shkëlqimit që e pati në Çeki, ku u rendit i dyti në plasmanin e përgjithshëm, Liridon Kalenderi shpreson që një gjë të tillë ta përsërisë edhe në këtë fundjavë, në garën që mbahet në Buzet të Kroacisë.

Kalenderi edhe kësaj radhe do të paraqitet me veturën Mitsubishi Evo 9, me të cilën u paraqit në Çeki.

“Është gara e tetë, e fundit për Kampionatin Evropian për këtë vit. Buzeti nuk është shteg i panjohur për ne, pasi kemi qenë edhe më herët, por gjithsesi duhet të jemi maksimalisht të kujdesshëm”, ka thënë Kalenderi për faqen zyrtare të FASK-ut pak para nisjes për Buzet.

Për të qenë sa më i përgatitur në të gjitha aspektet, ai nuk i ka lënë asgjë rastit.

“Me mua do të jetë komplet ekipi nga Polonia që e kisha edhe në Çeki. Duke marrë parasysh që të shtunën parashihet mot me shi, këtë herë do ta kem edhe trajnerin personal për të më këshilluar për çdo situatë të mundshme. Vetura sivjet i ka rreth 950 kuaj fuqi, prandaj ata po kërkojnë nga unë të kem shumë kujdes”, ka shtuar Kalenderi.

Pavarësisht që konkurrenca do të jetë shumë e madhe, ai beson se mund të gjendet në podiumin e fituesve.

Janë 11 garues që do të marrin pjesë në Grupin 1 dhe konkurrenca është shumë e fortë. Shtegu është me kthesa të shkurta, nuk është shumë i shpejtë, ndërsa favoritë janë italiani Mondi, austriaku Schlager dhe kroati Perekovic, i cili është vendas dhe e njeh shumë mirë shtegun. Duke i marrë parasysh të gjitha këto, do të isha i kënaqur edhe nëse renditem i treti dhe gjendem në podium. Gjithsesi unë do të jap maksimumin”, ka theksuar Kalenderi, duke shtuar se organizimi në Buzet zakonisht është i mirë dhe kështu pritet të jetë edhe këtë herë.