Kampionati i sivjetmë në sytë e ish-kampionit

BlerandHasanaj nuk është aktiv tash e tri vjet në automobilizmin kosovar, por ai vazhdon të jetë i pranishëm në shtigjet e garave, duke mos u larguar nga pasioni i tij.

Ish-kampioni i shumëfishtë i Kosovës ka vlerësim shumë të lartë për kampionatin e sivjetmë, përfshirë të gjitha disiplinat, por edhe garuesit dhe veturat e tyre.

“Kampionati i sivjetmë ka sjellë shumë risi në auto sportin vendor, duke i përfshirë disiplinat e ndryshme. Rezultatet derivojnë duke filluar nga kampionati në karting, në të cilin gjenden juniorët dhe e ardhmja e këtij sporti, e më pas tek rekordi i ri në Drag Race 3, ku SkenderPotera i pandalshëm arriti kohën 7.9 sekonda dhe 295 km/h! Kjo arritje nuk është vetëm në nivelin vendor, por edhe ndërkombëtar, sepse të hysh në 402metra për 7 sekonda, automatikisht je pjesë e elitës botërore të kësaj disipline”, ka thënë Hasanaj për faqen zyrtare të FASK-ut.

Pashmangshëm, atij zemra i fle te disiplina malore.

“Tek disiplina ime, në HillClimb, pavarësisht se nuk kam qenë aktiv në kampionat në tri vitet e fundit për arsye private, gjithmonë jam afër tyre dhe u ndihmoj çka do që mundem.

Disiplina HillClimb ka kërkesa të mëdha të pajisjeve, shpenzimeve, e poashtu edhe rrezikshmërisë. Këtë vit garuesit kanë dhënë kontributin dhe mundin e tyre, ku në kategorinë deri në 1.6 e kisha veçuar Lëndrim Doganin me Peugeot 106 GTI, në kategorinë E1 3000+, Ernest Dakën me BMW E90 M3, dhe Valdet Kaqandolli me Suzuki R5, ndërsa në ‘OpenSingleSeater’, Gazmend Demolli me bolidin e tij Radical SR8 LM”.

Hasanaj ka treguar edhe cilat janë shtigjet e tij të preferuara.

“Shtigjet më atraktive të cilat janë prezente në kalendar, për mua janë, Brezovica dhe Kulla. Këto dy shtigje sfidojnë jo vetëm vozitësin, por edhe automjetin, duke qenë ndër shtigjet më të gjata në kalendarin tonë, të cilat përbëjnë kthesa shumë të shpejta, të mesme dhe të ngadalshme. Pra në vete ngërthejnë kombinim fantastik të aspektit garues”.

Më tej Blerandi, i cili në platformën Art Motion është edhe analist i rregullt i Formula 1 e ka përmendur rekordin e Gazmend Demollit në Grashticë.

“Këtë vit, poashtu u thye rekordi i Grashticës nga Gazmend Demolli me bolidin e tipit Radical SR8LM, ku rekordin e vjetër e posedoi për 2 vite Liridon Kalenderi me veturën e tij Mitsubishi Lancer Evo 9”.

Gjithsesi, ai e vlerëson lart edhe pjesëmarrjen e garuesve tanë në gara ndërkombëtare.

“Pjesëmarrjen në gara malore po e hijeshon edhe dalja jashtë shtetit, si gara në Republikën e Shqipërisë në Krujë, gara ne Ponivka të Maqedonisë Veriore, dhe tani pritet të realizohet edhe gara në Buzet të Kroacisë. Padyshim që kulmi i gjithë kësaj ishte paraqitja fantastike e Liridon Kalenderit në Çeki (u rendit në pozitën e dytë), ku na e zbardhi fytyrën, duke e sfiduar me shumë sukses kampionin e Evropës, Karl Schagerl”, është shprehur Blerand Hasanaj.