Në fundjavë mbahet gara më e madhe e disiplinës malore për Kampionatin e Kosovës në automobilizëm.
Kulla 2022 përveç garuesve vendorë është tërheqëse edhe për garues nga vendet e rajonit, por edhe më gjerë.
Kryetari i Federatës së Auto Sportit të Kosovës (FASK), Ismet Rexhepi thotë se janë duke u bërë përgatitjet e fundit në mënyrë që gara të ketë rrjedhë sa më të mirë.
“Kulla gjithmonë është atraktive, ndërsa që nga pranimi i FASK-ut në FIA, interesimi për pjesëmarrje është edhe më i madh. Për garuesit tanë, gara është e rëndësisë së dyfishtë, duke marrë parasysh se poentohet për Kampionatin e Kosovës dhe atë të FIA CEZ”, është shprehur Rexhepi.
Ai ka shtuar se tashmë janë kryer shumica e punëve dhe gjithçka do të jetë gati për një fundjavë festive në automobilizëm.
“FASK në bashkëpunim me AK Visari – Peja, Komunën e Pejës dhe institucionet tjera relevante i ka bërë përgatitjet e duhura. Besojmë se gjithçka do të shkojë në mënyrën më të mirë, ashtu siç e meriton një garë prestigjioze, në këtë rast Kulla, ka theksuar kryetari i FASK-ut.
21.06.2022

