“Kulla 2023” – gjithçka gati

Në fundjavë mbahet gara e parë e disiplinës malore për Kampionatin e sivjetmë të Kosovës në automobilizëm, që gjithsesi është ndër disiplinat më atraktive dhe më të dashura për garuesit dhe dashamirët e auto sportit.

Dhe, kur kampionati nis me garën në Kullë, atëherë emocioni është edhe më i veçantë.

Kryetari i Auto Klubit, Visari-Peja, Bujar Hyseni, për faqen zyrtare të FASK-ut k thënë se tashmë gjithçka është gati.

“Ne si klub, në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës dhe Komunën e Pejës i kemi bërë përgatitjet e duhura që gara të ketë rrjedhën më të mirë të mundshme”, është shprehur Hyseni.

Ai pret që interesimi të jetë i madh, ndërsa kërkon që të gjithë pjesëmarrësit të kontribuojnë për një garë sa më të mirë.

“Kulla është e veçantë dhe gjithmonë ka pasur interesim, si për pjesëmarrje, ashtu edhe nga dashamirët e automobilizmit. Kështu presim të jetë edhe në këtë fundjavë. Besojmë se të gjithë garuesit, zyrtarët dhe shikuesit do të japin kontributin e tyre në mënyrë që gara të zhvillohet normalisht dhe të japim shembullin më të mirë të një organizimi të mirëfilltë sportiv”, ka shtuar Hyseni.

Veç garuesve vendorë, në Kullë edhe sivjet pritet të marrin pjesë edhe garues nga vendet e rajonit dhe më gjerë.