Mysafirët nga Holanda vlerësuan lart Drag Race

Holandezët Julian Content e Sander Smit ishin në mesin e mysafirëve në Drag Race III, garë që u zhvillua në fundjavën që shkoi në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë.

Mysafirët nga Holanda janë ndarë shumë të kënaqur me mikpritjen, organizimin dhe atmosferën gjatë dy ditëve të garës.

“Kam qenë në shumë vende të botës ku mbahen gara të tilla, por askund nuk jam kënaqur si në Kosovë. Për shembull në SHBA e kanë infrastrukturën shumë më të mirë, por nuk e përjetojnë kështu dhe as nuk bëjnë atmosferë si këtu”, u shpreh Content pas garës.

I kënaqur u shpreh edhe Smit, i cili tha: “Unë jam i pasionuar pas veturave, në veçanti më interesojnë motorët e tyre. Vetura që arriti rekord (Skender Potera) është e jashtëzakonshme, por pati dhe shumë vetura tjera të mira. Në përgjithësi ishte shumë mirë dhe ne u kënaqëm. Besoj se në vitin e ardhshëm do të vijmë në cilësinë e garuesve”.