Në fundjavë nis “maratona” automobilistike

Me garën në disiplinën e super auto sllallomit, e cila do të mbahet të dielën në Sllatinë, nis Kampionati i sivjetmë i Kosovës në auto sport.

Katër gara në këtë disiplinë, gjashtë auto sllallom, gjashtë në disiplinën malore, katër drag race dhe tetë karting e karting sllallom e përbëjnë kalendarin e kampionatit të sivjetmë, agjendë kjo mjaft e ngjeshur për Federatën e Auto Sportit të Kosovës, por edhe për vetë garuesit.

Kur kësaj i shtohet edhe pjesëmarrja e garuesve tanë në gara të ndryshme ndërkombëtare, atëherë është mëse e qartë se do të jetë një vit me shumë aktivitete për automobilistët tanë.

FASK, klubet dhe garuesit tashmë i kanë bërë përgatitjet e tyre për fillim sa më të mbarë, me shpresën që viti 2023 të jetë edhe më i suksesshëm se ai paraprak.

Në shtigjet e garave të sivjetme do t’i shohim edhe disa vetura që nuk ishin në kampionatin e kaluar, që gjithsesi do të jenë atraksion shtesë për dashamirët e auto sportit.