Kohë më parë ka përfunduar Kampionati i Kosovës në automobilizëm dhe klubet janë duke i bërë bilancet e tyre.
Të kënaqur me vitin 2022 janë shprehur te Prishtina Racing Team, klub ky kampion në konkurrencën ekipore, në disiplinën malore, ndërsa me rezultate shumë të mira edhe në disiplinat tjera.
Kryetari i klubit, Gazmend Gashi, për faqen zyrtare të FASK-ut, ka thënë se klubi ka pasur një vit mjaft të mirë.
“Viti 2022 për AMKK Prishtina RT ishte i suksesshëm, sidomos ne disiplinën malore, pasi e mbrojti titullin e kampionit në konkurrencën ekipore, ndërsa në sllallom këtë sezon është nënkampion, pas shumë sezoneve të njëpasnjëshme me tituj të kampionit”, ka thënë Gashi.
Ai i ka listuar sukseset e garuesve të Prishtina RT gjatë këtij viti.
“Në disiplinën malore, në konkurrencën individuale, në plasmanin e përgjithshëm garuesi i klubit Prishtina RT Gazmend Demolli me “Radical SR8” u rendit i pari si dhe i pari në klasën 12, pastaj kampion i klasës 9 (PF3) është poashtu garuesi i këtij klubi, Valdet Kaqandolli me veturën e tij Suzuki Swift WRC, ndërsa kampioni tjetër është Egzon Ukëhaxha në klasën 5 me Opel Astra. Të parët në klasat e tyre nga Klubi Prishtina RT ishin edhe Valon Jaha me BMW në klasën 8, si dhe Qazim Isufi – Ximi në klasën 10 me Audi S3, por për shkak të numrit jo të mjaftueshëm të garuesve në këto klasa nuk shpallen plasmanet në fund të vitit”, ka shtuar Gashi.
Prishtina RT, rezultate të mira pati edhe në disiplinën sllallom, në të cilën, në plasmanin individual edhe këtë sezon,Valon Jaha triumfoi në plasmanin gjeneral si dhe në klasën e tij. Rezultate të mira pati edhe Brunilda Gjura, e cila më herët, tri vjet radhazi ishte kampione (2019, 2020, 2021).
Por, sukseset e PRT nuk ishin vetëm në rrafshin vendor, sepse rezultate shumë të mira pati edhe në FIA CEZ.
Gazmend Demolli ishte i pari në Grupin CN – E2 SC si dhe Valdet Kaqandolli në grupin PF3, ndërsa Valon Jaha i treti në Grupin PF4.
Përveç kësaj, Jaha, bashkë me Rea Gashin, e përfaqësuan shumë mirë edhe Kosovën në FIA Motor Sport Games, të cilat u mbajtën në Marsejë të Francës.