Rea Gashi për herë të parë mori pjesë në një garë ndërkombëtare dhe është e vetëdijshme se ky fakt ka qenë presion shtesë.
Megjithatë, në FIA Motorsport Games, në Marsejë të Francës, ajo e dha maksimumin dhe bashkë me garuesin tjetër, Baran Karabeg, ia dolën që Kosovën ta rendisin në vendin e 10-të.
“Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme, aq më tepër për faktin se për mua ishte hera e parë që marr pjesë në një garë kaq serioze. Atmosfera, ambienti, organizimi e çdo tjetër ishte në nivel të lartë dhe kisha shumë emocion. Unë kam filluar vonë të merrem me karting dhe përvoja ime është e shkurtë, por gjithsesi ia dola të menaxhoj mirë stresin. Mendoj se pozita e 10-të është rezultat i mirë“, ka thënë Rea për faqen zyrtare të FASK-ut, në Facebook.
Ajo është shprehur optimiste se në të ardhmen do të ketë suksese edhe më të mëdha.
“Shpresoj që ky është vetëm fillimi i sukseseve të mia. Në garat e ardhshme synoj të jem në podium, e pse jo edhe të fitojë, sidomos duke marrë parasysh se shpirtin luftarak e kam trashëguar nga babi, karriera e të cilit në auto sport është shumë e pasur”, është shprehur Rea.