Super Kaçandolli, shkëlqyen edhe Demolli e Jaha

Valdet Kaçandolli e ka vazhduar shkëlqimin e tij në garat e disiplinës malore, në kuadër të Kampionatit të FIA CEZ. Pas triumfit në Pljevlja të Malit të Zi, ai ka fituar edhe në garën Ponikva II në Maqedoninë e Veriut.

Deri te fitorja Kaçandolli me Suzuki Swift arriti me kohën 03:21.63 minuta kohë kjo që i siguroi pozitën e parë në plasmanin e përgjithshëm.

Njëjtë sikur në Pljevlja, edhe në Ponikva, në pozitën e dytë u rendit Gazmend Demolli, i cili me Radicall SR8 LM, në cak arriti për 03:27.10 minuta.

Podiumi i fituesve u plotësua nga garuesi maqedonas Aleksandar Angleovski, me Honda Civic, që pati kohën prej 03:31.50 minuta.

Paraqitje të shkëlqyeshme pati edhe anëtari tjetër i Prishtina RT, Valon Jaha, i cili u paraqit me BMW dhe në cak arriti për kohën 03:47.33 minuta, duke u renditur në pozitën e parë të Klasës 4.

Në garën morën pjesë edhe Faton Rama e Arjeta Rysha, të cilët nuk u gjendën në podium.