Laszlo Szasz të dielën e theu rekordin e shtegut në Kullë, duke kaluar distancën prej 5.6 kilometra për vetëm 03:08.945 minuta. Pas garës, ai u shpreh i kënaqur me rezultatin, por edhe me mikpritjen në Kosovë.
“Fillimisht dua të them se ky shteg nuk është shumë i përshtatshëm për makinën time, por unë vij këtu, sepse më pëlqen ky vend, më pëlqejnë njerëzit e këtij vendi. Njerëzit janë shumë mikpritës dhe të bëjnë të ndihesh mirë. Ndërsa, sa i përket garës, unë kam vozitur shumë qetë dhe kam dashur të shijoj garën. Sigurisht që jam i kënaqur edhe për rekordin, duke theksuar se unë e kisha edhe rekordin paraprak, të cilin e arrita në vitin e kaluar”, ka thënë Szasz për faqen zyrtare të FASK-ut.
Mirëpo, duket se ai nuk njeh limite dhe pavarësisht moshës, synon që në vitin e ardhshëm të arrijë rezultat edhe më të mirë.
“Pavarësisht se bëhet fjalë për rezultat shumë të mirë, besoj që në vitin e ardhshëm mund të kem kohë edhe më të mirë”, ka shtuar garuesi hungarez.
