Valon Jaha: Pjesëmarrja në Marsejë, përvojë që nuk harrohet

Valon Jaha ishte njëri nga pesë garuesit që e përfaqësoi Kosovën në FIA Motorsport Games që u mbajtën në Marsejë të Francës, në javën e kaluar.

Pas kthimit nga Franca, Valoni ka vlerësuar se pjesëmarrja në atë garë ishte i veçantë.

“Pjesëmarrja në FIA Motorsport Games ishte emocion i veçantë, ishte ndryshe nga garat tjera. E falënderoj Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK) për besimin dhe mundësinë e ofruar për ta përfaqësuar Kosovën”, ka thënë Jaha për faqen zyrtare të FASK-ut.

Ai ishte pjesëmarrës në disiplinën e auto sllallomit dhe të drejtën e pjesëmarrjes pati pasi ishte i pari në garat vendore.

“Përvoja ishte ndryshe nga garat tjera. Vetura ishte ‘full electric – rally car’ dhe vlen të ceket se është vetura e parë në botë’ full electric’ e projektuar dhe dizajnuar për gara”, ka theksuar Jaha.

Sa i përket garës, ai ka thënë se konkurrenca ishte tejet e fortë, por gjithsesi një përvojë e rëndësishme.

“Në këtë event pjesëmarrëse ishin 72 shtete, ndërsa në auto sllallom ishin 25, me nga dy garues. Konkurrenca ishte tepër e fortë. Gjithsesi mendoj se pjesëmarrja ishte e rëndësishme dhe kemi shumë shpresë që në eventin e ardhshëm do të triumfojmë, jo vetëm në disiplinën auto sllallom, por edhe në disiplinat tjera. Natyrisht, na duhen më shumë trajnime, mundësisht edhe jashtë vendit për shkak të mungesës së kushteve inftastrukturore siç është pista adekuate”, është shprehur Valoni.

Bashkë me të, në auto sllallom mori pjesë edhe Ermira Topalli, ndërsa Kosova u rendit në pozitën e dhjetë.