Visar Gjikolli: Marseja, mundësi e mirë për ta afirmuar Kosovën

Visar Gjikolli e ka shijuar në maksimum pjesëmarrjen në FIA Motorsport Games në Marsejë të Francës, në të cilat Kosovën e përfaqësoi në E-Sports.

Megjithëse nuk arriti të kualifikohet për bllokun final, ai e dha maksimumin, pati paraqitje shumë të mirë dhe shpreson që Kosova në të ardhmen të jetë edhe më e suksesshme.

“Pjesëmarrja në këto gara ishte mundësi shumë e mirë për ne për ta afirmuar sportin kosovar dhe Kosovën në përgjithësi. Poashtu për ne ishte përvojë e mirë që të mësojmë më shumë dhe të përgatitemi për garat e ardhshme, në të cilat duhet të synojmë suksese më të mëdha”, ka thënë Gjikolli për faqen zyrtare të FASK-ut në Facebook.

Ai vlerëson se konkurrenca ishte shumë e fortë.

“Ka qenë konkurrencë shumë e fortë, ndërsa pozita e parë i takoi James Boldwin, i cili vozit McLaren edhe në gara reale. Unë në çerekfinale u nisa nga pozita e gjashtë dhe synimi ishte të hyja në mesin e pesë të parëve, por në fund u rendita i teti.”, ka shtuar Gjika.

Bashkë me të, në Marsejë ishin edhe Rea Gashi e Baran Karabeg (karting-sllallom) dhe Ermira Topalli e Valon Jaha në auto sllallom.