Viti 2022 i suksesshëm për auto sportin kosovar

Viti 2022 për Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK) mund të vlerësohet shumë i suksesshëm.

Gjashtë gara në disiplinën malore (duke llogaritur edhe Krujën), katër gara në disiplinën auto sllallom (në të dyja konkurrencat – meshkujt dhe femrat), katër gara në drag race dhe katër në karting përbëjnë pjesën garuese në rrafshin vendor.

Të gjitha këto gara janë organizuar në nivel të kënaqshëm, e çka është më e rëndësishmja nuk ka pasur asnjë aksident me pasoja në njerëz, derisa edhe ato me dëme materiale kanë qenë të pakta.

Poashtu, garuesit tanë sivjet patën paraqitje të mira edhe në rrafshin ndërkombëtar, ku duhet veçuar pozita e dytë e Liridon Kalenderit në Sternberg të Çekisë.

Në gara ndërkombëtare Kosova u përfaqësua mjaft mirë edhe nga femrat, siç ishin Arjeta Rysha në disiplinën malore, Ermira Topalli në disiplinën auto sllallom e Rea Gashi në karting – sllallom.

FASK është përpjekur që garuesit t’i përkrahë me aq sa ka pasur mundësi, ndërsa synon që viti i ardhshëm të jetë edhe më i suksesshëm.