Zhuqa rikthehet me super bishën e re

Përparim Dushi i ka munguar automobilizmit të Kosovës në dy vitet e fundit, por ai do të jetë aktiv në kampionatin e vitit të ri, madje me një rikthim spektakolar.

Anëtari i Prishtina Racing Team sivjet do të garojë me veturën e re Opel Astra TCR.

“Bëhet fjalë për veturë të re me zero kilometra të kaluara. Vetura ka motor me fuqi 2.0, 350 ps dhe peshë prej 1250 kilogramë, me të cilën do të garoj në Klasën 3”, ka thënë Dushi për faqen zyrtare të Federatës së Auto Sportit të Kosovës (FASK) në Facebook.

Duke marrë parasysh karakteristikat e veturës dhe faktin se është krejtësisht e re, edhe çmimi i saj është mjaft i lartë.

“Auto sporti është i shtrenjtë dhe për të arritur rezultate të mira duhen edhe investime të mëdha. Vetura ka kushtuar 117.000 euro. Unë, si gjithmonë, do ta jap maksimumin e njëherësh shpresoj të kem fat dhe të arrij rezultate të mira”, është shprehur optimist Përparim Dushi.